ProfilPASS

Nevoja për çertifikim ProfilPASS?

20 shtator 2021 Nevoja për çertifikim ProfilPASS?

Duke pasur parasysh faktin se pjesa më e madhe e kompetencave të cilat një person i fiton në jetë vijnë jashtë kornizave të shkollimit formal, është paraqitur nevoja që të gjendet një zgjidhje sistemore e cila do t’ i ngërthente kompetencat në mënyrë cilësore, pavarësisht mënyrës së fitimit të tyre.

Supozimi kryesor teorik, në drejtim të zgjidhjes së kësaj sfide bazohet në psikologjinë humaniste dhe të kuptuarit të mësimnxënies, të bazuar në modelin konstruktivist.

Duke u nisur nga psikologjia humaniste, secili njeri konsiderohet si një individ i cili tërë jetën e vet mund të ndryshojë, të zhvillohet dhe të mësojë, dhe si një individ i cili është ekspert më i madh për çështje që i takojnë vetë atij.

Modeli konstruktivist niset nga fakti se nuk ekziston një realitet objektiv, por vetëm ai subjektiv dhe se këtë realitet subjektiv secili njeri e krijon për vete.

Në bazë të këtyre supozimeve, si zgjidhje propozohet koncepti i ProfilPASS, i cili, ndër të tjera, karakterizohet me integrimin e precizimit të kompetencave dhe procesit këshillues, ndërsa ngërthen edhe reflektim individual, baraspeshim dhe identifikim të perspektivave të ardhshme dhe planifikimin e hapave të mëtejmë, duke mundësuar kështu aplikimin e tij tek grupet e ndryshme të synuara, pavarësisht nivelit të tyre arsimor. ProfilPASS mundëson integrimin e proceseve formale, joformale dhe informale të mësimnxënies nga lëmi më të ndryshme të jetës.

Memorandumi për mësimin tërë-jetësor, të lëshuar nga Komisioni Evropian në tetor të vitit 2000 bazohet në Strategjinë e Lisbonit dhe parasheh që "lëvizja në drejtim të mësimit tërëjetësor duhet të përcjell tranzicionin e suksesshëm kah ekonomia dhe shoqëria e bazuar në dije".

Parlamenti Evropian në vitin 2006 lëshoi rekomandim në lidhje me kompetencat kyçe si konstrukte operacionale të cilat duhet të zhvillohen në sistemin arsimor. Në këtë dokument, kompetencat definohen si njohuri (deklarative dhe procedurale), shkathtësi dhe aftësi që të zgjidhen detyra komplekse me mobilizimin e resurseve psiko-sociale (përfshirë këtu edhe shkathtësitë dhe qëndrimet) në kontekstin e caktuar.

Koncepti i kompetencave është i ndërlidhur me koncepte të ngjashme siç është shkathtësia, dija, kualifikimi dhe rezultatet e mësimnxënies. Fjala kompetencë është me prejardhje latine, fjala latine competentia mund të përkthehet si marrëveshje, takim, ndërsa fjala competens, si mbiemri gjegjës, nënkupton i përgjegjshëm, i përshtatshëm, i qëlluar. Kjo do të kishte kuptim vijues: kompetenca bëhet e dukshme kur një individ, në bazë të njohurive dhe shkathtësive të tij, mund t’ iu përgjigjet në mënyrë adekuate një tërësie të kërkesave të përbashkëta në situatën e dhënë.

Shikuar historikisht, nocioni i kompetencave fillon të fitojë rëndësinë kah mesi i viteve të 80-ta kur në Evropë kanë filluar reformat me qëllim të rritjes së punësimit të të rinjve dhe të rriturve të pakualifikuar, dhe me qëllim të rritjes së atraktivitetit dhe rëndësisë së zanateve relevante profesionale.

Kompetencat kyçe të një shprehje që bazohet në deklaratën e Raportit të UNESCO’s Mësimi: thesari brenda neve (1996.), sipas të cilit „secili person, fëmijë, i ri apo i rritur - duhet të jetë në gjendje t’ i shfrytëzojë mundësitë e arsimit, të cilat formohen ashtu që të kënaqin nevojat elementare të tyre për mësim“.

Llojet e kompetencave kyqe të zhvilluara brenda keshillimeve janë: profesionale, personale, metodologjike dhe shoqërore. 

ProfilPASS ekziston në Gjermani që nga viti 2006, me të cilin njerëzit mund të vizualizojnë sistematikisht atë që kanë mësuar gjatë jetës së tyre. Në Kosovë koncepti i ProfilPASS u zhvillua që nga viti 2018. Pasaporta e Kompetencave është një instrument që është sjellë në Kosovë nga GIZ-i dhe DIE-Institut në vitin 2020 dhe po në këtë vit kanë filluar këshillimet e para.

Prapa